Haradinaj me zyrtarin e lartë amerikan: Kosova ka shënuar progres në fuqizimin e sektorit të sigurisë
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim, zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të ligjit, Jorgan K. Andrews, me të cilin ka biseduar për partneritetin e Kosovës me ShBA-të, në luftë kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe korrupcionit.
Haradinaj në këtë takim ka theksuar se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fuqizimin e sektorit të sigurisë, veçmas duke forcuar Policinë, Prokurorin dhe Gjykatat dhe është partner i denjë edhe për operimet globale në këtë fushë.
“E falënderova z. Andrews për ndihmën e pakursyer që ShBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin në forcimin e institucioneve të vendit dhe kërkova nga ai që ky partneritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve tona, karshi përgjegjësive të përbashkëta”, ka thënë Haradinaj pas takimit.
Ai ka shtuar seKosova ka arritur të ndërtoj institucione kredibile dhe të avancojë në profilizimin e tyre, falë edhe partneritetit me ShBA-të.
“Sot jemi të gatshëm të qëndrojmë në krah me vendet aleate, në sigurimin e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm për qytetarët tanë”, ka deklaruar Haradinaj.
/Epoka e re/