Haradinaj: Mërgata shqiptare të vazhdojë ta lartësojë atdheun
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Prekazi është vendi që i bashkon shqiptarët kudo që janë.
Haradinaj përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”, ka thënë se ardhja e diasporës në Prekaz është lidhja më e mirë me atdheun.
Postimi i plotë i tij:
Prekazi është vendi që i bashkon shqiptarët kudo që janë. Ardhja e diasporës në Prekaz është lidhja më e mirë me atdheun.
Bashkatdhetarët i kanë dhënë mbështetje të fuqishme luftës çlirimtare, si dhe mbijetesës së popullit gjatë pushtimit. Ishim së bashku në kohë të rënda, por jemi bashkë edhe në ndërtim e krijim.
Sot, diaspora jonë është në shtëpinë e saj, në shtetin sovran, që është jetësuar falë sakrificës së atyre që i dolën zot Kosovës. Komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe familjes emblematike Jasharaj, në rend të parë.
Mërgata shqiptare të vazhdojë ta lartësojë atdheun, të drejtën dhe vlerën tonë, ashtu siç ka bërë gjithmonë.
RH