Haradinaj: Merkelit dhe Macronit do t’i them se Evropa ia ka borxh Kosovës vizat
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se në samitin e Berlinit do të takohet me dy udhëheqësit kryesorë evropiane, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.
Haradinaj ka theksuar se në këtë takim do t’i thotë Merkelit e Macronit se Evropa ua ka borxh Kosovës liberalizmin e vizave.
“Samiti i Berlinit është një mundësi e mirë dhe një tavolinë e përbashkët e Ballkanit Perëndimor dhe Kosova e ka perspektiven evropiane dhe për mua ka shumë rëndësi se Evropa e ka një borxh ndaj Kosovës, pra liberalizimin e vizave dhe vendimi ende nuk është marrë”.
“Aty janë udhëheqësit kryesor si Merkeli dhe Macroni. Shpresoj që të kam mundësi t’ua rikujtoj këtë borxh. Nuk mendoj se aty do të ketë negocim për territorin e Kosovës dhe Serbisë e as për Zajednicën”, ka thënë Haradinaj pas homazheve që ka bërë të shtatorja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, dhe të varrezat e dëshmorëve në Velani.