Haradinaj merr pjesë në konferencën ‘Small-Scale Innovative Ecosystems in Kosovo’
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në konferencën “Small-Scale Innovative Ecosystems in Kosovo”, organizuar nga ambasada e Finlandës në Prishtinë në bashkëpunim me UBT.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Haradinaj ka thënë se Kosova është para dy sfidave që i ka në vete, e që njëra ka të bëjë me urgjencën apo nevojën e zhvillimit ekonomik, presionit të madh që të nisemi në ekonomi ose edhe të rritemi, dhe e dyta është kujdesi ndaj të gjitha vlerave apo ambientit ku ndodh kjo ekonomi.
“Zakonisht ekonomitë në urgjencë të zhvillimit bëjnë kompromise të dhimbshme në ambient, resurse dhe në të gjitha aspektet tjera rrethanore. Për fat të mirë Kosova nuk është vetëm në këtë fazë të zhvillimit të vetë dhe është vërtetë për t’u falënderuar angazhimi i ambasadës së Finlandës që është edhe kryesuese e BE-së që ka gjetur kohë, mundësi dhe resurse që ta përkrah edhe një debat të këtillë të zhvillimeve inovative, të bizneseve inovative por edhe të efektit ose të aspekteve ekosistem në Kosovë”, u shpreh Haradinaj.
Gjatë fjalimit, kryeministri në detyrë Haradinaj ka potencuar faktin se i mirëpresin këto energji që vijnë prej partnerëve, në këtë rast prej BE-së, UNDP-së dhe Amerikës.
Haradinaj dha disa të dhëna numerike se çka ndodh në Kosovë me biznese, me ato që fillojnë, sa prej tyre janë dhe të çfarë veprimtarie janë.
“Janë 2462 ndërmarrje të regjistruara dhe 96 për qind e tyre janë biznese të vogla, të cilat janë në rrugë e sipër për ta zgjeruar veprimtarinë e tyre, por për fat të keq nuk kemi pasur ndonjë kompani të regjistruar në vitin 2018 me mbi 250 të punësuar, që ta konsiderojmë si kompani të madhe. Më së shumti biznese operojnë në Prishtinë me 705 ndërmarrje, për të pasuar me Ferizajn me 224, Prizreni 208, Peja 147, Gjilani 144 dhe Gjakova 113”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se me ngritjen e vetëdijes sonë, me këto diskutime, ne po e ndërlidhim urgjencën për zhvillim që e kemi dhe po në të njëjtën kohë po e kemi fatin që të kemi partner që na kujtojnë edhe aspekte të tjera që duhet pasur parasysh.
Edmond Hajrizi, rektor i UBT-së, tha se bashkëpunimi i mirë me Ambasadën e Finlandës, me ambasadoren, tregon një lidership, një proaktivitet një dëshirë që të bashkëpunojnë dhe të zhvillojnë diçka bashkë në Kosovë dhe motivimi i kësaj konference është bazuar në atë që Finlanda e kryeson Bashkimin Evropian në këtë gjashtëmujor dhe ka si fokus pjesën e zhvillimit të qëndrueshëm, pjesën e ekosistemit, të ambientit, disa elemente të rëndësishme që janë parakusht i mirë i zhvillimit.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, tha se është mirë që sot ka ide se çfarë lloj ekosisteme inovative mund të bëjnë ngritjen ekonomike dhe sociale në Kosovë.
Ajo ka pohuar se kur e ndërtojmë këtë lloj të ekosistemeve duhet të kuptojmë se duhet ta kemi përkushtimin e gjithë akterëve të mundshëm.
/Epoka e re/