Haradinaj: Ministri Murati është “hajni i vogël” i Albin Kurtit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur “hajn të vogël” ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se akuzat e ministrit Murati për keqpërdorimet me shpronësime janë vetëm sa për të zhvendosur vëmendjen nga dështimi me menaxhimin e pandemisë COVID-19.
“Hekuran Murati është një hajn i vogël për Kurtin, si dikur Liburni, Durmishi e do tjerë që i ka Kurti. Ky diskutim i tij për këtë keqpërdorim ka të bëjë me zhvendosjen e vëmendjes kur janë 36 persona të vdekur nga COVID-19 te një proces që nuk ka ndodhur pagesa. Dhe për të treguar që ky është një hajn i vogël, ky është dashur ta dërgojë një prokurori e pastaj ta bëjë konferencën për shtyp”, tha ai.
Haradinaj vlerëson se Qeveria Kurti qëllimisht po i ndalon investimet e mëdha kapitale.
“Kjo qeveri është kundër investimeve të mëdha kapitale. Për mos me realizua autostradën e Dukagjinit këta e dërgojnë lëndën në Prokurori. Është duke e dënuar të gjithë Dukagjinin”, tha ai në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Kujtojmë se ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media ka thënë se auditori i brendshëm ka gjetur keqpërdorim të 43 milionë eurove gjatë Qeverisë Haradinaj në procesin e shpronësimit në projektin e autostradës Prishtinë-Pejë.
Madje këtë lëndë e ka dërguar edhe në Prokurori.