Haradinaj: Miqësia Rama-Vuçiq është e mirëseardhur po u shfrytëzua për të mirë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është akuzuar shpesh për raportet e tij të ngushta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Është pikërisht kjo marrëdhënie si edhe mbështetja për “Ballkanin e hapur” që ka krijuar kushtet edhe për një raport jo shumë komod të Ramës me kryeministrin Albin Kurti.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka mirëpritur një raport të tillë të Ramës me Vuçiçin, duke thënë se janë pro çdo hapi të hedhur që çon në një marrëveshje finale me Serbinë, me qëllimin kryesor, anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.
“Po mendoj se ne duhet të gjithë, çdo mundësi, resurs, përparësi të krijuar, ta shfrytëzojmë për diçka të mirë. Dhe kjo miqësi po u shfrytëzua për diçka të mirë, është e mirëseardhur pra. Dhe pse jo, ia vlen me investuar gjithë atë që është krijuar, gjithë atë që ka ndodhë në Ballkan, që të mbyllen këto çështje të hapura”, ka thënë Haradinaj, raporton “abcnews.al”.
Më tutje, i pari i AAK-së, ka thënë se Kosova e ka synim të rëndësisë jetike anëtarësimin në NATO.
“Ne si Kosovë nuk e fshehim, ne e kemi synim dhe jo vetëm synim por të rëndësisë jetike, anëtarësimin në NATO. Dhe arsyeja pse nxitojmë për marrëveshjen me Serbinë është që ndonjë nga ‘Defenders’ të ardhshëm, ushtrimi NATO-s në Ballkan, të na përfshijë si anëtarë të NATO-s, se ne jemi pjesë e ushtrimeve të përbashkëta. Pra, ndihma e kryeministrit Rama, ndihma e politikanëve të opozitës në Shqipëri, e të gjithëve është e mirëseardhur që të mbyllet një çështje kaq me rëndësi”, ka deklaruar Haradinaj.