Haradinaj, Mogherinit: Taksën 100 për qind e heqim vetëm kur Serbia njeh Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur shefes për politik të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila i ka kërkuar ekipit negociator heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.
Haradinaj ka thënë se Kosova është e interesuar për tërheqje të taksës, por kjo do ndodhë vetëm nëse Serbia sot e njeh shtetësinë e Kosovës. “Ne jemi të interesuar ta heqim sot, nëse Serbia na njeh. Nëse kjo ndodh sot e heqim”, ka thënë Haradinaj në një adresim para medieve.
Ai ka thënë se taksa është vendim i Qeverisë së vendit. “Qeveria e vendit vendimin e ka legjitim”, është shprehur Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka treguar edhe një herë arsyen e vendosjes se kësaj takse. “Ka arsye kjo. Ne kemi informuar qeveritë e jashtme sepse është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës. Është penguar Kosova në planin e jashtëm”, është shprehur Haradinaj.