Haradinaj mori pjesë në 20-vjetorin e themelimit të RTV Mitrovica
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë të premten në 20-vjetorin e themelimit të RTV Mitrovica.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj, e ka përgëzuar drejtorin e këtij televizioni, Nexhmedin Spahiun, për rolin e tij, duke e quajtur si ithtar të së drejtës, të lajmit dhe debatit të lirë përmes RTV Mitrovica dhe njëkohësisht i ka ndarë atij medaljen e kryeheroit tonë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.
“E kam shfrytëzuar të drejtën time si kryeministër në detyrë që të ndaj një dekoratë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për kontributin e tij në median e lirë”, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj.
Ndërkaq, drejtori i RTV Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, ka pohuar se sot 20 vite më parë është themeluar Radio televizioni i Mitrovicës nga një grup entuziastësh me vizion të qartë medial, shoqëror, politik e njerëzor.
“Sot 20 vite, jemi larg nga ajo që kemi menduar se do të jetë Radio Televizioni i Mitrovicës. Por është e pabesueshme se si kemi kaluar nëpër gjithë ato sfida. Por, nëse mendojmë se çfarë kemi bërë për këto 20 vite dhe për çfarë shquhet televizioni i Mitrovicës, janë tri fusha ku Radio Televizioni i Mitrovicës ka qenë pioniere e që sipas tij, kanë qenë programi për fëmijë, që është redaktuar nga fëmijët dhe tani janë rreth 38 fëmijë të cilët e bëjnë aktualisht këtë program, pastaj bashkëpunimi ndëretnik dhe fusha e tretë që kishte rol të pazëvendësueshëm ishte debati”, ka thënë Spahiu.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, shefi i OSBE në Kosovë, Jan Braathu, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të mediave të ndryshme, përfaqësuesit e KPM-së si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
/Epoka e re/