Haradinaj: Mujë Krasniqi ishte luftëtar shembull për të tjerët
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë të enjten në akademinë përkujtimore në 19-vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, Mujë Krasniqi.
Haradinaj, para të pranishmëve në këtë akademi, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, bashkëluftëtarë të komandantit Mujë Krasniqi, tha se Muja dhe luftëtarët e tij janë faqja e bardhë e shqiptarëve atëherë dhe sot.
“Shembulli i luftëtarit të mirë shqiptar bashkohet te figura e Mujë Krasniqit, një djalë i pastër në shpirt, në bindje, një djalë i cili veç drejtësi ka nxjerrë nga vetja”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, duke theksuar se bashkëluftëtarët e Mujës, familjet që sot i kujtojnë bijtë e vet, 41 të rënë në këtë ditë dhe 178 bashkëluftëtarët e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, kanë qenë me fat që djemtë e tyre kanë luftuar krah dhe nën emrin e Mujë Krasniqit, luftëtarit shembull për të tjerët.
Më tej kryeministri ka theksuar se flijimi i familjes Jashari, komandantit legjendar Adem Jashari, porosia që u dërgua te shqiptarët, nuk ishte porosi e njërit nga ne, por porosi e shpirtit të luftëtarëve, të cilën Muja e përhapi në Dukagjin e çdo kund.
Duke nderuar veprën e komandant Mujës dhe gjithë të rënëve për liri, kryeministri ka thënë se shumë shpejt do të ndërtohet memoriali, ashtu siç u takon këtyre luftëtarëve.
Para të pranishmëve të shumtë folën drejtuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtarët e Mujë Krasniqit, të cilët kujtuan veprën dhe luftën e lavdishme të komandantit të tyre, ndërsa në emër të familjes të pranishmit i përshëndeti babai i komandantit Mujë Krasniqi, Halil Krasniqi.