Haradinaj: Mungesa e opozitës në seancë është gabim
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e quan të gabuar mosprezencën e partive opozitare, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria, për ekipin negociator në dialogun me Serbinë.
“Tani e kemi të vështirë të vlerësojmë se si do të veprojmë. Në fakt, ishte pak gabim kjo mosardhja e opozitës në seancën paraprake. Votimi i delegacionit të Qeverisë dhe të Kosovës ku ishte e parapraë edhe roli i opozitës, ose edhe dhënia e mendimit për këtë delegacion, do ta hapte një dialog pastaj që edhe pozita ta ketë mendimin e vet për rezolutën (e opozitës). Mosardhja fare në seancë na ka nxjerrë në pozitë të pafavorshme”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se më herët i kishte propozuar Parlamentit platformën për dialogun, por që sipas tij, nuk kishte mirëkuptim për të, duke shtuar se “tani i kam propozuar delegacionin, të shohim a do të kemi mirëkuptim”.
Seanca e thirrur nga Qeveria e Kosovës, ku pritet të miratohet ekipi negociator në dialogun me Serbinë ka nisur në orën 9:00. Ajo është ndërprerë në orën 11, dhe që atëherë, Kuvendi gjendet në pauzë.