Haradinaj: NATO-ja e ka vendin e përhershëm në Kosovë
Kryeministri Ramush Haradinaj është takuar me ish-komandantin suprem të forcave të bashkuara të NATO-së për Evropë Wesley Clark.
Kryeministri ka thënë se intervenimi i NATO-s dhe çlirimi i Kosovës janë akte që çdo qytetar i Kosovës i kujton dhe i respekton me nderim të madh.
Haradinaj gjatë këtij takimi ka theksuar se Kosova sot ka arritur të çojë përpara agjendën euro-atlantike, ka forcuar sistemin e saj të sigurisë dhe ligjit dhe po punon në vazhdimësi që të jetë partner i aleatëve tanë strategjik.
“E falënderova për angazhimin e ri, në projekte për zhvillim ekonomik dhe mundësi investimi në Kosovë, ku i shpreha përkushtimin e vendit për partneritet afatgjatë. NATO-ja e ka vendin e përhershëm në Kosovë dhe Kosova në NATO dhe ju gjeneral Clark do të mbeteni gjithmonë në kujtesën tonë si njeriu i shpresës dhe shpëtimit”, ka thënë Haradinaj pas takimit.
/Epoka e re/