Haradinaj: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, vlera më sublime për lirinë tonë

11 qershor 2019 | 14:25

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne në shënim të 20-vjetorit të hyrjes së KFOR-it në Kosovë, organizuar nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës, Admirali James G. Foggo III, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, ushtarë të KFOR-it, oficerë, përfaqësues të korit diplomatik dhe personalitete të tjera.

Në shënim të 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, kryeministri Haradinaj ka kujtuar se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ndërprerja e gjenocidit dhe spastrimit etnik janë vlera më sublime për lirinë dhe jetën.

“Në përvjetorin e çlirimit dhe të kthimit të qytetarëve të Kosovës në tokën e tyre, sot kujtojmë sakrificën e popullit tonë dhe atë të ushtarëve të NATO-s që u renditën në të drejtën e njerëzimit. Sot, kemi ndërtuar një Kosovë, shtëpi e përbashkët e të gjithëve. Një shtet, që ngërthen brenda sistemit të vet po ato vlera dhe parime, të cilat para dy dekadash i përfaqësonin, shtetet dhe kombet e lira, anëtare të NATO-s. Mburremi me ketë fuqi të përkushtimit për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët”, ka thënë kryeministri Haradinaj, në urimin e tij në shënim të 20-vjetorit të hyrjes së KFOR-it në Kosovë.

/Epoka e re/

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se sot pati kënaqësi të…