Haradinaj: Nderimi që u bëjmë kategorive të lirisë, na motivon drejt aspiratës sonë për anëtarësim në NATO
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar dëshmorin e kombit në përvjetorin e rënies, Basri Canolli – Shpendi.
Haradinaj ka thënë se Basri Canolli ishte çdo herë i pari në aksione.
“Sot përkujtuam luftëtarin e dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Basri Canolli – Shpendi, djalë nga një familje atdhetare, të përcaktuar qysh herët në rrugën për liri! Basriu do të kujtohet si trim, i guximshëm, çdo herë i pari në aksione e beteja, i përcaktuar të mos lëshojë pushkën deri në çlirimin e vendit”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se nderimi dhe respekti që i bëhet kategorisë së lirisë, na motivon drejt aspiratës sonë për anëtarësim në NATO.
“Kategoritë e lirisë janë themeli i sakrificës dhe e lirisë që e gëzojmë sot. Çdo përpjekje e jona për forcimin e lirisë dhe shtetit si frymëzim ka kontributin e kategorive të lirisë. Nderimi dhe respekti që i bëjmë atyre na motivon drejt aspiratës sonë për anëtarësim në NATO, në ruajtjen e miqësisë me aleatët tanë, Amerikën dhe në mbrojtje të vlerave të lirisë sonë”, është shprehur Haradinaj