Haradinaj: Ndërkohë që të tjerët merren me tenderë e subvencione për dosta, ne do të ulim taksat e do të hapim vende të reja pune
Kryetari i AAK-së, Rasmush Haradinaj dhe kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit ka thënë se në qendër të vizionit të tij është anëtarësimi i Kosovës në NATO. Ai këtë deklaratë e bëri gjatë një takimi me strukturat e AAK-së dhe qytetarët në Vushtrri.
“Vushtrria është dëshmitare e potencialit të pashfrytëzuar, për shkak të një qeverie që nuk sheh përtej mureve të ndërtesës qeveritare. Në qendër të vizionit tonë, është anëtarësimi i Kosovës direkt në NATO përmes Planit Aksional, duke forcuar kështu aleancën e pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është rruga e vetme për sigurinë dhe prosperitetin e vendit tonë.”, tha ai.
Nga Vushtrria ai ironizoi edhe favorizimet që Ministria e Bujqësisë u ka bërë familjarëve të deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.
“Ndërkohë që të tjerët merren me tenderë e subvencione për dosta, ne do të ulim taksat, do të hapim vende të reja pune dhe do të mbështesim bizneset me kredi të buta.”, tha Haradinaj.
Ai tha se rinia e Vushtrrisë, ashtu si e gjithë rinia e Kosovës, meriton të ndërtojë të ardhmen këtu, jo në rrugët e Evropës.
“Do të rrisim pagat dhe pensionet, do të investojmë në arsim cilësor dhe shërbime shëndetësore moderne. Në Vushtrri, ne do të angazhohemi edhe në përkrahje të bujqësisë. Tokat pjellore të kësaj ane presin ujë për të dhënë prodhimin, ndërsa fermerët presin një dorë që i mbështet.”. ka shtuar ai.
Ai ka prezantuar edhe kandidatin për deputet nga ky qytet. Mensut Ademi.
“Listës sonë për deputet në Kuvendin e Kosovës, nga Vushtrria i bashkohet z. Mensut Ademi, Doktor i Shkencave Penale dhe Kriminologjisë, ligjërues në disa universitete publike e private në Kosovë. Ai ka qenë luftëtar i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrës në shumë beteja nga të cilat mban deri më sot plagët e luftës. Kandidatura e tij është një shans i mirë për qytetarët e Vushtrrisë dhe jo vetëm, që interesat dhe kërkesat e tyre të përfaqësohen denjësisht në Kuvendin e Kosovës.”, ka shkruar Haradinaj.