Haradinaj nderon heronjtë Sali Çekaj dhe Shefqet Mustafaj: Sakrifikuan gjithçka për liri, sepse besonin se Kosova e lirë ishte mbi gjithçka

19 prill 2025 | 13:20

Në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, u mbajt një Akademi Përkujtimore kushtuar veprës dhe sakrificës së Brigadës 138 “Agim Ramadani”, një prej formacioneve më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi lart kontributin e kësaj brigade në betejën e lavdishme të Koshares, ku luftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare u bashkuan për të realizuar aspiratën shekullore për liri dhe për të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë në tokën e tyre.

“Sa më shumë afrohej liria, aq më shumë intensifikohej lufta jonë në Dukagjin dhe në gjithë Kosovën. Në Koshare, luftuan krah për krah trima nga të gjitha viset shqiptare, me një qëllim të përbashkët: jetësimin e së drejtës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në tokën e tyre”, u shpreh Haradinaj.

Ai përkujtoi me nderim të veçantë dëshmorët Sali Çekaj dhe Shefqet Mustafaj, të cilët lanë jetën në mërgim për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut, duke rënë heroikisht bashkë me bashkëluftëtarët e tyre: Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun dhe Leonardin.

“Bij të kombit që sakrifikuan gjithçka për liri, sepse besonin se Kosova e lirë ishte mbi gjithçka. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, përfundoi Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministrja në largim, Emilija Rexhepi ka thënë se Duda Balje…