Haradinaj nderon të rënët e familjes Rama nga Obiliqi 

27 mars 2025 | 15:16

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor sot në Obiliq, në nderim të familjes heroike Rama.

Haradinaj theksoi sakrificën e kësaj familjeje dhe rezistencën e saj heroike kundër agresionit serb. “Në fund të marsit 1999, aparati gjenocidal serb ishte mobilizuar në të gjithë Kosovën, duke shtuar dhunën dhe mizoritë ndaj popullsisë shqiptare. Më 27 mars, forcat serbe sulmuan shtëpinë e Agron Ramës. Ai, bashkë me djemtë e tjerë të familjes, Farukun dhe Albertin, iu përgjigj me zjarr armikut, duke luftuar për mbrojtjen e familjes dhe atdheut” u shpreh ai.

Haradinaj theksoi se qëndresa e tyre heroike është një dëshmi e sakrificës për liri. “Ata qëndruan heroikisht deri në frymën e fundit, duke rezistuar ndaj zjarrit të armikut dhe duke dhënë jetën për lirinë e Kosovës, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes. Shembulli i familjes Rama dëshmon se kur atdheu është në rrezik, nuk kursehet asgjë nga vetja”, ka thënë Haradinaj.

Ai kujtoi gjithashtu mbi 180 martirët e lirisë nga Fushë-Kosova, si dhe masakrat që ndodhën në lagjen Dardania dhe në të gjithë qytetin e Pejës në atë ditë tragjike.

Haradinaj përmendi edhe bombardimin e radiostacionit “Kosova e Lirë” në Malet e Berishës, ku ra dëshmor Elbasan Berisha.

“Ishte lufta jonë çlirimtare ajo që na solli aleancën me NATO-n, të udhëhequr nga Amerika. Përgjithmonë të përulur para sakrificës së të rënëve për liri!” përfundoi Haradinaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Arsimit e komunës së Drenasit së bashku me…