Haradinaj nderon të rënët e masakrës së Lybeniqit: Liria u pagua me gjakun e më të mirëve tanë

01 prill 2025 | 13:28

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe sot në Lybeniq, duke nderuar kujtimin e dhjetëra civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe më 1 prill 1999.

Haradinaj e ka cilësuar këtë masakër si “një nga aktet më të rënda të gjenocidit serb në Kosovë, ku burra, gra, të moshuar dhe fëmijë nga Lybeniqi, Buçani, Rashiqi, Loxha, Kosuriqi dhe Prilepi u ekzekutuan mizorisht, ndonëse ishin të paarmatosur”.

“Liria e Kosovës u pagua me gjakun e më të mirëve tanë. Ata nuk u ndalën përballë dhunës, nuk u dorëzuan para mizorisë. Ishin të paarmatosur, por më të fortë se armiku, sepse kishin një qëllim – lirinë e atdheut”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Haradinaj ka përmendur tragjeditë e tjera të luftës, si “shuarjen e familjes Januz Cana në Gjakovë, ekzekutimet masive në familjen Vejsa dhe në rrugët e qytetit, si dhe vrasjen e gjashtë anëtarëve të familjes Rexha nga Cercë e Istogut”.

Haradinaj ka theksuar domosdoshmërinë e drejtësisë për viktimat dhe mbajtjen gjallë të kujtesës kombëtare për ata që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

“Përgjegjësit e këtyre krimeve nuk duhet të mbeten të pandëshkuar. Drejtësia për ta është borxh i përjetshëm i yni”,  ka shkruar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Shemsi Syla Sot e 44 vjet më parë, më…