Haradinaj: Ndriçimi publik më shtrenjtë se ai shtëpiak, të reagojnë kryetarët e komunave
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj çmimit të energjisë elektrike, përkatësisht atij për ndriçimin publik në komunat e Kosovës, me theks të veçantë në kryeqytet.
Haradinaj ka thënë se komunat duhet ta ngrisin këtë çështje me urgjencë.
“Meqë këto ditë është temë pagesa nga ana e Qeverisë së Kosovës për rrymën në veri, dua që publikisht të shtroj një pyetje për kryetarin e Prishtinës dhe gjithë kryetarët e komunave të Kosovës. Në tërë Republikën e Kosovës konsumatori shtëpiak gjatë natës paguan 3 cent kWh, ndërsa ndriçimi publik, që natyrisht është natën, paguhet 10 cent kah”.
“Një statistikë e thjeshtë e shpenzimit të energjisë elektrike në Kosovë; Prishtina për vitin 2019 ka shpenzuar 788,548 kWh, derisa e krejt Kosova shpenzon 2.515.348 kWh, pra Prishtina shpenzon 32 për qind të energjisë elektrike në nivel vendi. Besoj që komunat e Kosovës e veçmas ajo e Prishtinës duhet ta ngrisin me urgjencë këtë shqetësim. Është e palogjikshme dhe e papranueshme kjo që ka ndodhur tash e sa vite!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.