Haradinaj: Ndryshimi i kufijve hap çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se hapja eventuale e kufijve do të hapë çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan.
Ai ka thënë se kufijtë nuk duhet të diskutohen në asnjë tavolinë të bisedimeve.
Haradinaj gjatë akademisë përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të Betejës së Zhegocit dhe 50 dëshmorëve të Brigadës “Kadri Zeka”, ka thënë se nuk duhet pranuar të diskutohet çështja e kufijve në bisedimet në Bruksel.
“Janë gabim deklarimet e udhëheqësve evropianë se mund të diskutohet territori, kufijtë e Kosovës. Nëse ashtu shqiptarët kanë bërë shumë lëshime për të pranuar një Kosovë të tillë. Pra, të gjithë duhet ta kuptojnë se hapja e kufijve, pra të gjithë ata zyrtarë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë, se hapja e kufijve do të hap po ashtu çështjen e shqiptarëve, çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan. Nëse janë të gatshëm me e hap ketë çështje atëherë e hapim, por nëse jo nuk guxojmë të vazhdojmë me deklarime sikur sot kemi dëgjuar komisionarin Hahn, pra thotë se nëse palët janë dakord flasim për kufij. Nuk duhet me pranua me iu fol kufijtë e Kosovës në asnjë tryezë nga askush”, është shprehur Haradinaj. /Ksp/