Haradinaj: Ndryshimi i kufijve, skenar monstruoz që i shërben agjendës ruse
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Ai ka falënderuar ambasadorin O’Connell për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të hapur për këto vite shërbimi në Kosovë, duke ndihmuar dhe ballafaquar Kosovën me të gjitha temat që rëndojnë rrugën tonë përpara synimit euroatlantik.
Me këtë rast, Haradinaj ka shprehur besimin se Britania do të jetë kundër ndryshimit të kufijve që sipas tij është skenar monstruoz që i shërben agjendës ruse.
“Unë besoj që Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë kundër çfarëdo ndryshimi territorial apo të kufijve në Ballkan, dhe do të mbetet përherë adresë e sigurt për popullin e Kosovës, se një skenar i tillë monstruoz që i shërben agjendës së Rusisë në Kosovë, nuk do të realizohet asnjëherë”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/