Haradinaj në Drenas: Ruajeni votën se këtu kah akshami ndalen dritat
Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka mbajtur një tubim elektoral në Drenas, ku ka folur në lidhje me atë se çfarë parasheh programi i tij qeverisës.
Haradinaj ka thënë se e kanë filluar kalkulimin financiar për shtesat për fëmijë, për sigurimet shëndetësore, si dhe u ka treguar të pranishmëve që do të bëhet edhe një zonë ekonomike në këtë komunë,përveç asaj që e kanë.
Ai po ashtu ka hedhur akuza tërthorazi ndaj kundër-kandidatëve të tij, duke i thënë të pranishmëve që ta ruajnë votën sepse në ditën e zgjedhjeve “kah akshami këtu ndalen dritat”.
“E di që edhe ju ranojnë pak e besa ju shkepin edhe naj pare se ka ardh vakti, por servilët vlejnë veç deri sa të kryhet një punë, pastaj janë mall harxhues. Ju e dini se çka është më e mira për ju”.
“Drenica është treguesi më i mirë i drejtimit që ka marrë vendi. Bashkë në epopetë e luftës çlirimtare dhe shtetkrijimit, të bashkuar në themelimin e ushtrisë sonë, në mbrojtje të ‘Trepçës’ dhe tregut tonë, sot në Drenicën e Adem Jasharit, sërish në të njëjtin rresht, për t’i shërbyer me besnikëri vendit. Drenasi i tha po qëllimit suprem Kosovës, 100% shtet”, ka thënë Haradinaj.