Haradinaj: Ne duhet të kthehemi në një komb inovativ në ekonomi
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi, në të cilin është prezantuar puna e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe është diskutuar për hapat e mëtutjeshëm për zhvillim në këtë fushë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk ka njeri në glob, që nuk është i ekspozuar domosdoshmërisht të ecë me ato që ndodhin në jetën e njerëzimit, me pak fjalë, me atë që konsiderohet një revolucion digjital dhe në këtë drejtim edhe Kosova është pjesë e kësaj lëvizjeje.
“Jemi para një presioni të madh, si kohor, si të kërkesave praktike të mënyrës së jetesës, të bërit ekonomi, të veprimit të vlerës së re, pra një revolucion është duke ndodhur në botë dhe ne nuk bëjmë përjashtim, duhet të bëhemi të përgjegjshëm me këtë dhe të gjejmë perspektivën tonë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se populli i Kosovës është një prej vendeve që ka shtrirje shumë të gjerë të përdoruesve të internetit, si dhe fakti tjetër, që mbi 70 për qind e prodhimit ose veprimtarisë në teknologji informative biznesore është për eksport, flet shumë.
“Ne kemi plot sfida sa i përket zhvillimit ekonomik. Arsimi dual është sfidë, trajnimi, kualifikimi i mëtejmë për këto trende globale të të bërit biznes, po ashtu është sfidë dhe jam i interesuar si Qeveri, pas parasysh faktin që kemi ministrinë e Inovacionit, kemi fondin, që t’iu qëndrojmë afër të gjithë atyre që janë ekzistues në të bërit biznes në teknologji ose digjital ekonomi dhe atyre që janë kandidatë potencialë në të ardhmen”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka thënë se janë këtu ta japin kontributin e tyre në fjalën e dhënë të kryeministrit, i cili këtë vit e ka shpallur si vit ekonomik dhe për të prezantuar punën që është bërë deri tash nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, bashkëpunimin që kanë pasur me të gjitha institucionet vendore si dhe me bashkëpunëtorët ndërkombëtar, siç është fjala për bashkëpunimin e shkëlqyer me GIZ-in gjerman.
Kryeministri Haradinaj në këtë takim ka thënë se Kosova duhet të shndërrohet në një komb ekonomik dhe digjital dhe se përkrahja e rreth 160 bizneseve fillestare dhe investimi në Parkun Inovativ dhe Trajnues, janë dy veprime konkrete, të agjendës ekonomike që ka Qeveria dhe në këtë drejtim, do të ofrohet mbështetja e nevojshme për nismat e kësaj natyre.
/Epoka e re/