Haradinaj në Gjakovë kujton betejën e Çabratit: Krenar që kisha në krah bashkëluftëtarë si heronjtë gjakovarë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar betejën e Çabratit në përvjetorin e saj.
Haradinaj ka thënë se në luftën çlirimtare Gjakova ka dhënë shumë djem dhe vajza.
“Gjakova, vatër e atdhedashurisë dhe shqiptarisë ndër breza, i fali shumë lirisë së atdheut. Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, anembanë vendit, Gjakova dha luftëtarë të mëdhenj. Djemtë e vashat e Gjakovës ishin shembulli më i mirë i luftëtarëve të lirisë që nga mobilizimi e deri te dita e fitores”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se shpirti liridashës e atdhetar i Gjakovës nuk u shua asnjëherë.
“Gjatë luftës për liri, në këtë trevë u shkatërruan shumë ekonomi familjare; e shumë vëllezër e motra tona pësuan nga dora e agresorit, por shpirti liridashës e atdhetar i Gjakovës nuk u shua asnjëherë. Sot në kujtim të betejës së Çabratit, me kryetarin Ardian Gjini, kolegë e familjarë, nderuam heroizmin e Brigadës 137 ‘Gjakova’ dhe trimat që ranë. Përgjithmonë krenarë që kisha në krah bashkëluftëtarë si heronjtë gjakovarë që i kujtuam sot. Përgjithmonë krenarë me heroizmin dhe mirënjohës për sakrificën e popullit tonë për liri”, është shprehur Haradinaj.