Haradinaj në Loxhë: A do të më ndihmoni më shumë se përpara, se jam më ngushtë kësaj here?
Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka mbajtur të dielën një takim me banorët e Loxhës së Pejës.
Fillimisht, Haradinaj ka përgëzuar banorët e këtij fshati për trimërinë e treguar gjatë kohës së luftës .
Ai ka kërkuar që të kenë kujdes në procedurën e shënjimit të votës në mënyrë që për shkak të ndonjë gabimi të mos përfundojë e pavlefshme.
Para banorëve të Loxhës, Haradinaj ka shpalosur arsyeve se pse duhet të votohet koalicioni AAK-PSD.
“E kemi treguar veten me punë e sakrificë dhe të arritura, për këtë duhet të na votoni. E bëmë ushtrinë. Me taksën 100 për qind e treguam se kush është Zot shpie”.
“Tani duhet ta zhvillojmë ekonominë. Sektorin publik e kemi rregulluar, tani duhet edhe atë privat. Ta zvogëlojmë burokracinë se po i mundojmë njerëzit pak me letra, dhe kjo është edhe burim i korrupsionit”.
“Jemi të vendosur për t’i dhënë shtesat për fëmijë se Kosova po zbrazet. Jemi të vendosur t’i përkrahim lehonat”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka folur edhe për çështjen e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë, duke thënë se edhe ata duan që shteti ynë të vendosë vet.
“Sa i përket marrëdhënieve me aleatët, duhet ta kuptojmë se interesi ynë është që të bëhemi shtet 100 për qind dhe këtë duhet të shkojmë t’ua shpjegojmë edhe atyre. Nuk duhet me na ardhur marre me i tregu aleatëve se për çka jemi ne, pra për shtet 100 për qind, dhe kjo i gëzon ata. Ne duhet t’i marrim përgjegjësitë t’i kryejmë punët tona”.
“Një kryeministër duhet të jep dorëheqje edhe 100 herë nëse është nevoja dhe të mos e mbrojë veten e ta dëmtojë interesin nacional”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj në fund të takimit i ka siguruar banorët e Loxhës se asnjëherë nuk do të refuzojë ndonjë projekt që vjen nga ta.
Përpos kësaj, Haradinaj ua ka bërë një lutje banorëve të këtij fshati, duke thënë: “A doni mem ndihmu më shumë se përpara, se jam ma ngushtë kësaj here”.