Haradinaj: Në Mejë na ruajnë varret dhe gjaku i martirëve
Në Mejë na ruajnë varret dhe gjaku i martirëve, të cilët janë nderi ynë. Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj në tubimin qendror përkujtimor në Kompleksin Memorial në Mejë i organizuar nën patronatin e tij.
Haradinaj bëri edhe homazhe në nderim të viktimave të Mejës duke vënë kurora lulesh.
Duke kujtuar dhe shprehur ndjenjën e posaçme për Mejën, kryeministri Haradinaj ka thënë se do të kujdeset që ky kompleks, që është nderi i shqiptarëve, të na nderojë edhe në mënyrën se si do t’i tregohet vetes dhe botës për të vërtetën tonë, sakrificën dhe çmimin tonë për liri.
“Kosova e ka fatin e madh dhe ky vend e dëshmon që ne dëshirojmë t’i takojmë popujve të lirë”, është shprehur kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ne jemi rreshtuar për t’i takuar botës së mençur dhe popujve euroatlantik.
Kryeministri më tutje ka theksuar se popujt e lirë kanë ditur të vendosin demokraci të mirëfilltë dhe respektuar të drejtat e njeriut.
“Ne jemi në nisje dhe nisjet janë të rënda, por ne nuk lëkundemi në përcaktimin tonë euroatlantik”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Evropa s’ka pse të vonohet për të na pranuar edhe ne në familje, sepse Kosova është bërë shtet vonë, por ekziston mijëra vjet më parë.
Kryeministri Haradinaj ka pohuar se Kosova duhet të njihet nga vendet që ende se kanë njohur dhe nga fqinjët e saj, të anëtarësohet në BE, NATO dhe OKB.
/Epoka e re/