Haradinaj: Në mesin e mjekëve serb që kanë ardhë në veri mund të ketë agjentë serbë e rusë
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se duhet pasur kujdes nga mjekët që po hyjnë nga Serbia në Kosovë, pasi në mesin e tyre mund të ketë njerëz të infiltruar nga shërbimet inteligjente.
Ai ka thënë për DPT te Fidani në T7 se nga kjo situatë mund të përfitojë dikush, andaj duhet edhe kujdes, marrë parasysh situatën me koronavirus.
“Duhet të jemi të kujdesshëm kur të flasim për institucionet tona. Nuk shoh që ka probleme shumë të mëdha, por duhet pasur parasysh që ujku do mjegull. Në raport me situatën në veri, veten nuk e shoh në opozitë, por pjesë të institucioneve. Realiteti në veri është ky që është, prej 99-ës e deri sot. Në këto rrethana, duhet të jemi shumë unik dhe duhet pasur shumë kujdes. Nuk duhet të provokohen situatat e konfliktit në këtë situatë pandemike”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka mohuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se mjekët serbë vijnë e shkojnë nga Kosova dhe kjo nuk është diçka e pazakontë.
Sipas tij, ka një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë që mjekët serbë të vijnë e të përkujdesen për serbët e veriut.
Ai ka tërhequr vërejtjen se në mesin e tyre mund të ketë njerëz të inteligjencës serbe apo ruse.
“Nuk është e vërtetë që mjekët shkojnë e vijnë si thotë kryeministri. Ka marrëveshje, por duhet pasur kujdes që në mesin e tyre të hyjnë njerëz të inteligjencës serbe apo ruse. Duhet të jemi bashkë që ta ruajmë Kosovën të pandarë dhe të pacenueshme”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka porositur kryeministrin në largim që të mos e përdorë fjalën “gjakderdhje” nga kjo pozitë ku është tani.
“Kryeministri është në presion. Duhet të ketë shumë kujdes. Një kryeministër serioz nuk guxon ta përdorë fjalën gjakderdhje. Në demokra ci fjala gjakderdhje duhet të hiqet prej fjalorit”, ka thënë Haradinaj.