Haradinaj në Pejë: Kosova sot është në udhëkryq, është në një fazë vendimtare politike
“Kosova sot është në udhëkryq, është në një fazë vendimtare politike. Orientimi që ka marrë udhëheqja politike, po i rrezikon krejt të arriturat e deritashme të Kosovës”, kështu ka thënë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë takimit me zyrtarë të partisë në Pejë.
Ai ka theksuar se sot jemi në prag të humbjes së mbështetjes së partnerëve strategjikë, posaçërisht të partneritetit me Shtetet e Bashkuara, që mund të ketë pasoja katastrofike për vendin.
“Në një situatë të tillë, është obligim i yni forcimi i alternativës politike që i jep fund “qeverisë anti-shtet të Albin Kurtit”. Sot Kryesia e Aleancës, në qytetin ku edhe është krijuar, në Pejë, me histori mijëra vjeçare e kurrë e nënshtruar, por gjithmonë në ballë, sikundër edhe në luftën e fundit të luftës për liri e për Atdhe, e fillon ciklin e diskutimeve për veprimet konkrete të mobilizimit të saj dhe të shtrirjes e të forcimit të Bashkimit, i cili tashmë e ka krijuar bërthamën e vet me Nismën Social-Demokrate, Klubin e Intelektualëve E-30 dhe me Listën Konservatore”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka thënë se ky bashkim politik do të rritet dhe nuk do të ndalën deri sa ta krijojnë masën kritike që i jep fund kësaj logjike antikombëtare qeverisëse dhe, sipas tij, aspak nuk është e rastësishme, pse nga Peja.
“Kosova është përcaktuar në rrugën e vet euro-atlantike dhe partneriteti me aleatët, veçmas me Amerikën, është i pandryshueshëm, pavarësisht kush mund të jetë në qeveri sot apo nesër. Dhe për të ndodhur kjo, para nesh dalin disa detyra urgjente. E para ta rikthejmë dinjitetin e njeriut që po shkilet pamëshirshëm nga kjo kastë qeverisëse, demokracinë në vend, ta ndalim trendin shqetësues të emigrimit dhe Kosovën ta përshtatim për t’u bërë pjesë e familjes së madhe Evropiane dhe anëtare e NATO-s”, ka deklaruar Haradinaj.