Haradinaj në Rahovec, nderon Tonin dhe Micin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe para pllakës të vendosur për heronjtë Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi dhe Nezir Ymeri, të cilët kanë rënë heroikisht në luftën e fundit në Rahovec.
Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se “heroizmi i tyre është drita jonë udhërrëfyese”. “Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi dhe Nezir Ymeri, emra që do të jehojnë përgjithmonë në historinë tonë. Sakrifica e tyre sublime na frymëzon çdo ditë për të çuar përpara idealet e lirisë dhe pavarësisë. Këta trima na mësojnë se dashuria për atdheun është më e fortë se çdo sfidë. Sot i shoqëruar nga kryetari Smajl Latifi e shumë bashkëpunëtorë, nderuam guximin e tyre të pashembullt që mbetet frymëzim për brezat që vijnë”, ka shkruar Haradinaj.