Haradinaj në Rahovec: Smajl Latifi është njeri punëtor, ai i di më së miri pritjet e rahovecianëve (Video)
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj nëpërmjet një video i është drejtuar qytetarëve të Rahovecit për zgjedhjet e 17 tetorit.
Ai i ka cilësuar qytetarët e Rahovecit njerëz punëtorë dhe që ia japin hakun punëtorit, duke treguar se ka kaluar qaste të ndryshme me ta.
“Të dashur qytetarë të Rahovecit, në momente të vështira kemi qëndruar pranë njëri-tjetrit, por jo vetëm kaq, edhe në gëzime. Pra e di që të gjithë ju e kuptoni sa e rëndësishme është të keni kryetarin njeri punëtor sepse vet jeni punëtorë. E di se ja jepni hakun punëtorit, e na priftë e mbara me 17 tetor për kryetarin tonë, Smajl Latifi dhe për asamblistët tonë”, ka thënë ai.
Haradinaj ka cilësuar Smajl Latifin njeri të sinqertë, të devotshëm e të përkushtuar për punë e shërbim ndaj qytetarëve, që është transparent e që punon në bazë të ligjit.
“Ne i dimë pritjet tuaja prej qeverisjes komunale por edhe prej institucioneve qendrore, po ashtu ju siguroj që njeriu që i di më së miri të gjitha pritjet tuaja dhe të drejta dhe të gjitha punët që duhet të kryhen në Rahovec është Smajl Latifi”, ka thënë Haradinaj.