Haradinaj në Speciale: Jam rritur në burgjet serbe, kalova si klandestin në Suedi
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se deri në moshën 17-vjeçare është rritur në Kosovë.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës në Gjykatën Speciale në Hagë, Haradinaj ka thënë se një pjesë të jetës e ka kaluar në burgjet serbe.
“Po jam rritë një pjesë të jetës në Kosovë deri në moshën 17-vjeçare e gjysmë, ndërsa pjesën tjetër të jetës jam rritë në burgjet serbe. Derisa në vitet ‘90-ta kam kaluar si klandestin në Suedi”, ka thënë Haradinaj.
Më pas, Haradinaj në seancën gjyqësore ka thënë se në Suedi nuk ka qëndruar me dëshirë.
Ai ka thënë se ka qenë i detyruar që të shkojë atje.
“Edhe në Suedi në një mënyrë unë isha dhunshëm, pa dëshirën time. Unë nuk kisha dalë që të kërkojë të mira ekonomike qysh kanë dalë shumë, por kisha dalë prej dhune. Atje kom pas rrogë shumë të mirë, në vlerë prej pesë mijë euro neto por dëshira dhe nostalgjia ime ishte që të kthehesha në Kosovë. Përktheja dy gjuhë”, ka thënë Haradinaj.