Haradinaj në takim me gjermanët: Kosova ofron mundësi për investime direkte nga Gjermania
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një delegacion gjermanë, nga të cilët ka marrë konfirmimin për thellimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.
Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se me delegacionin gjermanë ka biseduar për mundësitë që ofron Kosova për investime direkte gjermane.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Delegacioni më i madh gjerman që deri tani ka vizituar vendin, sot dha konfirmimin për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës e Gjermanisë.
I lumtur të pres anëtarët e Parlamentit nga CSU të Landit të Bavarisë, i kryesuar nga Thomas Kreutzer, me të cilët diskutuam për mundësitë e shumta ekonomike që ofron Kosova, për investimet direkte gjermane. Shpalosa para delegacionit gjerman planet konkrete të qeverisë për zhvillim ekonomik, rritjen e investimeve direkte dhe shpreha gatishmërinë tonë që në këtë drejtim të krijojmë partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë me Gjermaninë.
Rrugëtimi ekonomik i Landit të Bavarisë, duke qenë motor i rëndësishëm në gjenerimin e vendeve të punës, është shembull i mirë që Kosova duhet ndjekur, duke zbatuar në praktikë politikat për arsimin dual, mbrojtjen dhe mbështetjen e investimeve.
E falënderova delegacionin gjerman, për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, konfirmimin për këtë proces nga ministri i Brendshëm Seehofer, i cili vije po nga Bavaria, duke u zotuar se lëvizja e lirë e qytetarëve tanë, do t’i shërbej frymës së këtij bashkëpunimi ekonomik dhe fuqizimit të partneritetit Kosovë – Gjermani.
Përherë mirënjohës!
/Epoka e re/