Haradinaj: Në takimin e Parisit duhet të jetë i pranishëm edhe delegacioni shtetëror
Më 1 korrik, në Paris të Francës do të mbahet një takim i ngjashëm sikurse ky i Berlinit që ishte thirrur nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron, në përpjekje për t’u dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë me dije se Kosova ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Parisit më 1 korrik, por ka theksuar se nëse do të flitet edhe procesin e dialogut Kosovë – Serbi atëherë duhet të jetë prezentë edhe delegacioni shtetëror që është mandatuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Herën e ardhshme besoj se takimi do të jetë bilateral vetëm Kosovë – Serbi me ndërmjetësues, në këtë rast me kancelaren Merkel dhe presidentin Macron. Në një takim të këtillë Kosova nuk ka arsye të shkon vetëm përmes udhëheqësve shtetërorë, por në tavolinë duhet të paraqitet edhe delegacioni i mandatuar shtetëror nëse është një tip samiti i këtillë, në këtë rast edhe udhëheqësit tonë po si po”, ka thënë Haradinaj për televizionin “T7”.
“Na është kërkuar që të konfirmojmë pjesëmarrjen në një takim të radhës më 1 korrik në Paris të cilin e kemi konfirmuar realisht pjesëmarrjen unë dhe presidenti, mirëpo unë kam njoftuar se në një takim të këtillë nëse do të flitet për dialogun atëherë duhet të merr pjesë edhe delegacioni shtetëror ose kryesuesit e delegacionit shtetëror, nëse formati është më i vogël”, ka theksuar ndër të tjera kryeministri Haradinaj.