Haradinaj: Në Uashington, për marrëveshje finale me Serbinë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se në takimin e 2 shtatorit në Uashington, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
“Po shkojmë për marrëveshje, për njohje reciproke në kufi ekzistues. Nëse rrethanat e sjellin këtë marrëveshje, po shkojmë për këtë marrëveshje, por nëse ka përparim, marrim edhe përparimin cilido qoftë ai”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj ka vlerësuar se duhet të shfrytëzohet vëmendja që po ia jep ShBA-ja zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kam qenë insistues që të kërkohet kthimi i Uashingtonit në temë në çështjen e dialogut. Ne e kemi parë një ndihmesë në të kaluarën nga BE-ja dhe e kemi mirëpritur këtë ndihmesë të BE-së, por edhe të vendeve veç e veç, si të Gjermanisë, Francës, kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Mirëpo, po ashtu ne e kuptuam që BE-ja e delegoi çështjen e dialogut në nivel të BE-së, në këtë rast te përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak”, ka deklaruar Haradinaj në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, BE-ja në një mënyrë zbehu shpresën për suksesin e pritur në këtë proces.
“Duke parë këtë gjendje, ne e kemi kuptuar drejt se shpresa tash na ka mbetur vetëm në Uashington. Ne çdoherë kemi pasur besim në Uashington, por kemi shpresuar që edhe BE-ja do të investojë më shumë në këtë proces, duke u kyçur direkt kryeqytetet kryesore si Berlini, me ndonjë zyrtar të lartë të tij ose edhe Franca dhe të tjerët. Duke qenë se nuk ndodhi ashtu, pra unë kam kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti, që të bëjë hapa prapa në këtë agjendën e deleguar të dialogut te Borrell dhe Lajçak dhe të kërkojë Uashingtonin. Pra, ishte një lajm jashtëzakonisht i mirëpritur nga unë rikthimi i Uashingtonit, takimi i 2 shtatorit. Mirëpo, ne e kemi një shqetësim për përgatitjet që duhet t’i bëjmë. Pra temat, identifikimin e temave, identifikimin e materies për të cilën mund të themi po, por pastaj edhe formati i takimeve”, ka shtuar Haradinaj.