Haradinaj në Uashington, u flet ushtarakëve amerikanë për transformimin e FSK-së
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare që është duke e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur në Akademinë Ushtarake “West Point” nga Gjeneral Lejtnant Darryl A. Williams me bashkëpunëtorë.
Sipas një njoftimi nga zyrja e Qeverisë, Haradinaj falënderoi Gjeneralin Williams për pritjen dhe për ndihmën që është duke e dhënë kjo Akademi për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes ofrimit të studimeve për kadetët kosovarë, e që aktualisht këtë Akademi janë duke u shkolluar dy kadetë të FSK-së, Arnela Shala dhe Ylli Dalladaku.
“Vendi ynë është falënderues për gjithë kontributin që ka dhënë Amerika, si në kohë lufte poashtu edhe paqeje. Jemi përherë mirënjohës që i kemi aleat të fuqishëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Haradinaj.
Ndër të tjerash, Kryeministri Haradinaj, duke folur para përfaqësuesve të “West Point Academy”, për transformimin e FSK-së në ushtri, tha se Kosova është e gatshme që ta ketë ushtrinë, e cila do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë, bën të ditur njoftimi.
“Gjeneral Lejtnant Darryl A. Williams, pasi falënderoi Kryeministrin Haradinaj për vizitën, tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e parezervë të këtij institucioni përmes ofrimit të trajnimeve dhe studimeve ushtarake për pjesëtarët e FSK-së”, thuhet në njoftim.
Nga Gjenerali Williams, Kryeministri Haradinaj ka pranuar një dhuratë me simbolet e Akademisë Ushtarake “West Point”, ndërsa kryeministri Haradinaj e ka nderuar Gjeneralin Williams me medaljen e Skënderbeut.
Në Akademinë Ushtarake “West Point” ishte e pranishme edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.