Haradinaj: Në vitin 2018 kanë qenë vetëm 723 kërkesa për migrim
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me të cilin ka biseduar për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ka shënuar progres të konsiderueshëm në fushën e sigurisë, rendit dhe ligjit dhe është e përkushtuar që të avancojë me raportet bilaterale me Gjermaninë si dhe gjithmonë e gatshme për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje.
Ai ka thënë se ka rënë numri i qytetarëve që kanë migruar jashtë vendit. Sipas Haradinaj, në vitin 2018 kanë qenë vetëm 723 kërkesa për migrim.
“Kisha kënaqësi të ndaj me ambasadorin Heldt statistikat e fundit reale të migrimit, ku Kosova tregon qartë se nuk përbënë rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 723 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018. Krahasuar me vitin 2015, ku shifrat e migrimit tregonin për 67.545 persona që kanë migruar, viti 2018 me vetëm 723 raste, tregon qartë një rënie prej 98%, rezultat ky që dëshmon përkushtimin e qytetarëve të Kosovës, për të respektuar së pari, shtetin e Kosovës dhe gjithashtu për të respektuar parimet bazë të lëvizjes së lirë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/