Haradinaj në zbulimin e busteve të heronjve Sala dhe Hamit Jashari: Ishin bërë simbole të qëndrueshmërisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë ka marrë pjesë në zbulimin e busteve të heronjve Sala dhe Hamit Jashari në Prekaz.
Haradinaj ka thënë se shtëpia e Sala dhe Hamit Jasharit ishte shndërruar në strehë të sigurt për celulat e para të UÇK-së.
“Në Prekazin heroik, çdo shtëpi ka një histori. Shembulli i qëndresës heroike të bacës Shaban, Ademit e Hamzës, nuk ishte i vetëm. Shtëpia e Hamit e Salë Jasharit ishte shndërruar në strehë të sigurt për celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftëtarët e lirisë, gjetën aty ngrohtësinë, por edhe frymëzimin për të vazhduar në rrugën e lavdisë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se bacë Hamiti e nëna Salë, ishin bërë simbole të qëndrueshmërisë.“Në kohën kur nëna Sale dhe baci Hamit, ishin bërë simbole të qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë për sakrificë, ata hynë në faqet e historisë sonë kombëtare, për të mbetur aty, si yje ndriçues për brezat që vijnë. Pikërisht në vendin ku ata i falën jetën e tyre Atdheut, sot zbuluam bustet e tyre, që simbolizojnë sakrificën shekullore të familjeve shqiptare për liri e bashkim. Nëna Salë e baci Hamit, ju faleminderit për shërbimin”, është shprehur Haradinaj. /EO