Haradinaj: Nënshkrimi i memorandumit për ‘Prishtinën e Re’ do të hyjë në histori
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar të mërkurën një memorandum të bashkëpunimit, i cili ka të bëjë me zhvillimin e gjithëmbarshëm të kryeqytetit.
Haradinaj pas nënshkrimit të këtij memorandumi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se fillimi i projektit “Prishtina e Re” do të jetë një histori në vetvete për kryeqytetasit.
“‘Prishtina e Re’ – historia e re për qytetarët e Prishtinës! Fillimi i projektit ‘Prishtina e Re’ është veprimi i radhës, pas Ligjit për Prishtinën, Unazën e Qytetit, Sallën Koncertale e Pallatin e Rinisë, më i rëndësishëm, në të cilin është angazhuar Qeveria e vendit, për zhvillimin e kryeqytetit metropol, çfarë edhe e meritojnë qytetarët tanë. Nënshkrimi për ‘Prishtinën e Re’, që do të hyjë në histori, është veprimi më i guximshëm për t’i dhënë kahje të re infrastrukturore dhe zhvillimore kryeqytetit”.
“Një ide e dy dekadave më parë, nisi sot jetësimin me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës, si projekt me interes për institucionet e vendit dhe qytetarët, që i jep fund kaosit urban dhe vendosë një rend të ri funksional në kryeqytet. Investime të huaja direkte, punësim të mijëra punëtorëve, rritje ekonomike, planifikim modern dhe mbikëqyrje institucionale, pa kosto publike, janë disa nga benefitet e këtij projekti të guximshëm dhe të nevojshëm për Prishtinën! Urime Prishtinë!”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/