Haradinaj: Nëse Kurti s’e përgënjeshtron deklaratën për Marrëveshjen e Washingtonit, rrezikon partneritetit me SHBA-në
Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës, konkretisht deklaratës së zëdhënësit të Kurtit, Perparim Kryeziu, i cili dje në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Marrëveshja e Washingtonit s’ka vlerë juridike.
Haradinaj ka thënë se nëse Albin Kurti nuk e përgënjështron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, atëherë merr përgjegjësinë për rrezikimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Qeveria Kurti paska deklaruar se e vetmja marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, qenka juridikisht e pavlerë! Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së thotë se një gjë të tillë s’mund ta bëjë askush.
“Këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër!”, ka përfunduar Haradinaj.
Deklarata e zëdhënësit të Kurtit për Marrëveshjen e Washingtonit ka ardhur pavarësisht qëndrimit zyrtar të Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që drejtohet nga Joe Biden se Marrëveshja e Washingtonit duhet të jetë rruga e bashkëpunimit për të ecur përpara./GazetaExpress/