Haradinaj nga Durrësi: Kosova nuk kursen asgjë për Shqipërinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka arritur të premten në Durrës bashkë me një pjesë të kabinetit të tij.
Haradinaj në zonën e prekur nga tërmeti është pritur nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se ka shkuar në Durrës për t’i dhënë përkrahje Shqipërisë dhe popullit shqiptar në këto momente të vështira
“Jemi këtu për t’u dhënë përkrahje të mëtejme për përballimin e gjendjes. Bashkëndjejmë me viktimat dhe vështirësitë që ka Shqipëria. Do të vazhdojmë të jemi bashkë”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka theksuar se Kosova nuk do të kursejë asgjë për të qenë bashkë me Shqipërinë.
“Kosova ka të gjithë mekanizmat në dispozicion, kuptohet, koordinimi është i nevojshëm. Kosova nuk kursen asgjë, do të jemi bashkë”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se një numër i shqiptarëve të Shqipërisë janë strehuar në Kosovë.
“Kemi një numër të caktuar. Një pjesë e tyre janë në familje private dhe hotele dhe kemi një kamp ushtarak që e kemi hap për strehim. Janë 500 të strehuar aty. Është një ish-kamp i forcave gjermane”, është shprehur Haradinaj.