Haradinaj nga Krusha kërkon mbështetjen e Trumpit, Mekelit dhe Mayt për Kosovën
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor në nderim të 241 viktimave të Krushës së Madhe.
Duke kujtuar edhe 64 qytetarët që ende figurojnë të zhdukur, kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, ka thënë se edhe pas gati dy dekadave, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona.
“Pra, mos harroni, në tokën e Kosovës ashtu sikur kjo dhimbje që e ndjejmë sot, janë plotë vende që kanë dhimbje e janë plotë familje që e ndjejnë këtë dhimbje. Edhe pse ka kaluar kohë, gati dy dekada, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona. Shqiptarët kanë dëshmuar në shekuj se e kanë fuqinë për të vazhduar jetën, e kanë fuqinë për të jetuar, fuqinë për të treguar gjallërinë e vet për të mos u ndalur”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se sikur të mos ishte kështu, nuk do të ishin sot në Krushë e cila nuk është dorëzuar asnjëherë.
“Jam i bindur se ata që nuk janë me ne, martirët tanë të pafajshëm të flijuar, por edhe profesori i nderuar Ukshin Hoti që është jo vetëm ideolog i lirisë, i së drejtës shqiptare, por edhe model i patriotit të mirë, sot, në këto ditë, do të na thoshin, mos u ndalni, shkoni përpara, si Kosovë dhe si vend!”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se liria e Kosovës është arritur me ndihmën e NATO-s dhe Amerikës.
Ai ka kërkuar nga miqtë e Kosovës, Amerika, Britania dhe Gjermania që ta mbështesin Kosovës në kohën kur presidenti i Serbisë, është duke kërkuar kompromis për vendin tonë.
“E sot, në emrin tuaj, por nëse jo, në emrin tim, presidentit të Amerikës, Trump, i themi, a mundet ta përfundojë çështjen e Kosovës, që Kosova të ecë edhe më tutje, sepse ka mbetur puna e pakryer. Kështu i themi edhe kryeministres së Anglisë Theresa May, edhe kancerales së Gjermanisë, Angela Merkel, e ndërsa presidentit të Serbisë, Vuçiq, që po thotë se duhet dhënë diçka për të njohur Kosovën, do t’i themi, çliroje popullin tënd dhe mos e mbaj me frikë të së kaluarës; kujtoje tragjedinë e popullit të Kosovës, dhimbjen e tij; kuptoji këto varre e këta njerëz që janë me dhimbje; njihe këtë dhimbje; nderoje këtë dhimbje, sepse i bën mirë popullit tënd! Duke kërkuar për të marrë ende prej Kosovës në emër të njohjes reciproke, është gabim. Paqja arrihet duke respektuar dhimbjen e tjetrit, duke respektuar të drejtën e tjetrit”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se shqiptarët e Kosovës janë të interesuar për paqe. “Ne nuk dimë se çka të japim më për të drejtën tonë, për lirinë tonë, sesa njerëzit tanë që i kemi këtu dhe ata që nuk po mund t’i gjejmë ende. Është e padrejtë për t’i kërkuar Kosovës në fazën finale për njohje, edhe diçka. S’ka ku të shkojë më Kosova. Kosova e ka respektuar angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në maksimum. Kosova vërtet është e interesuar për jetë të qetë, stabilitet, për paqe. Në Kosovë respektohen komunitetet. Do t’i ruajmë të gjithë, që janë njerëz të këtij vendi, edhe serbët e Kosovës, por njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të bëhet më mbi ndonjë pazar të ri, sepse s’ka mbetur më çka”, ka thënë Haradinaj.