Haradinaj: Nga rritja e pagave më së shumti fitojnë gjyqtarët dhe prokurorët
Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin e mëhershëm, për pezullim të vendimit për ngritjen e pagave të zyrtarëve shtetërorë.
I pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka thënë se në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese shfuqizohet vendimi i 1 shkurtit që parasheh pezullimin e vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave.
“Vendimi ynë është pezulluar në respekt të procedurave ligjore dhe në respekt të procesit të hapur në Kushtetuese. Pasi vendimi i Kushtetueses tani është fuqiplotë, atëherë vetëkuptohet vjen shfuqizimi i pezullimit, pasi kemi marr masë të pezullimit, nuk ka qenë anulim, ka qenë pezullim, këtë e kemi bërë sot, tani këto procedurat i zbaton Qeveria”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se nga kjo rritje e pagave më se shumti përfitojnë gjyqtarët dhe prokurorët. “A e dini sa i vogël është numri i pushtetarëve që përfitojnë nga rritja e pagave? Këtu përfitojnë direkt 600 gjyqtarë dhe prokurorë. Pra, mos harroni, sot fitues janë ata. Edhe ne po flasim për rend dhe ligj, po hartojmë ligje të mira. Sot u ka shkuar përkrahja më e fuqishme institucioneve të zbatimit të ligjit, në këtë rast nga sot 600 gjyqtarë dhe prokurorë i kanë pagat me ngritje”, ka thënë kryeministri Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai ka folur edhe për reagimin e BSPK-së, të cilët kanë kërkuar rritjen e pagave edhe për pjesën tjetër të punëtorëve, duke thënë se rritja e pagave është nivelizim i pagave të zyrtarëve të shtetit.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se pagat me rritje zyrtarët e shtetit do t’i marrin që nga koha kur është marrë vendimi për rritje të pagave.