Haradinaj: Nga sot mësimdhënësit e viteve të ’90-ta do ta marrin kompensimin
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se nga sot mësimdhënësit e viteve 1990-1999 do të marrin kompensimin e tyre për punën në këtë periudhë.
“Lajm fantastik për mijëra arsimtarë dhe mësues si dhe për familjet e tyre, që kanë punuar në sistemin arsimor të Kosovës gjatë viteve 1990-1999. Ata nga sot do të marrin kompensimin ligjor e material për punën e tyre heroike”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se Qeveria me të marrë detyrën ëdhtë angazhuar fort, megjithë pengesat, që ky ligj të miratohet, si satisfaksion moral e material për heronjtë e asaj epoke, që e mbajtën të gjallë shpresën dhe shkollën shqipe duke i dhënë krah lirisë së Atdheut.
“Ndonëse nuk qe e lehtë, ia dolëm dhe sot ndihem ballëhapur para mësuesve dhe arsimtarëve të vendit. Nuk mund të kishte urim më të bukur për festat e fundvitit se kjo! Faleminderit përjetësisht”, ka shkruar Haradinaj.