Haradinaj: Ngritja e cilësisë në arsim, e domosdoshme
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim pune rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema dhe kryesuesin e Konferencës së Rektorëve, Ramë Vataj, me të cilët ka biseduar rreth gjendjes në UP dhe arsimit të lartë në përgjithësi.
Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme në arsim, duke vlerësuar se ngritja e cilësisë në arsim është e një rëndësisë të veçantë për vendin, marrë parasysh zhvillimet e hovshme globale.
“Po punojmë me përkushtim si Qeveri e Kosovës që t’i ofrojmë mbështetjen e duhur institucioneve arsimore në Kosovë, në të njëjtën kohë i gëzohemi ngritjes së cilësisë dhe sukseseve të studentëve tanë të cilët janë konkurrent në tregun evropian dhe botëror”, ka deklaruar Haradinaj.
Ndërsa rektorët Dema dhe Vataj e kanë njoftuar kryeministrin Haradinaj me sfidat me të cilat përballet arsimi i lartë në vend, duke vlerësuar angazhimin e tij në ofrimin e mbështetjes për arsimin në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti.
/Epoka e re/