Haradinaj: Një dekadë miqësi e partneritet me Iowa-n
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se gati një dekadë Kosova dhe shteti i Iowa-s kanë demonstruar një partneritet korrekt bashkëpunimi në shumë fusha me interes për Kosovën, veçmas në atë arsimor.
“Tani me ardhjen tuaj në Kosovë, ky bashkëpunim do të intensifikohet, për të sjellë rezultate konkrete. Kosova është e hapur për investimet dhe ndihmën amerikane”, ka deklaruar Haradinaj gjatë takimit me delegacionin 60 anëtarësh, përfaqësues të shtetit të Iowa-s, institucioneve arsimore dhe ekonomike nga ky vend.
Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira me shtetin e Iowa-s, Haradinaj ka thënë se Kosova mburret dhe ka nderin që të ketë këtë partneritet me shtetin e Iowa-s, dhe në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësi kjo e cila ka lindur në ditët më të vështira.
“Kosova është shtëpia juaj e dytë dhe kështu ju konsiderojmë. Faleminderit për të gjithë mbështetjen që keni treguar për ne, për shoqërinë tonë. Ardhja juaj këtu sot, dëshmon që ky partneritet, kjo miqësi me ju po fiton një dimension tjetër, në ekonomi, siguri, kulturë”, është shprehur Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj konfirmoi mbështetjen e tij për projektet që promovojnë cilësinë në arsim, profilizimin e fushave të studimit dhe për projekte që hapin vende të reja të punës dhe nxisin zhvillim ekonomik të vendit.
“Kosova ka nevojë për shkolla profesionale, të orientuara varësisht nga nevojat e tregut të punës. Kosova ka nevojë për modelin amerikan të shkollimit, të punës dhe zhvillimit ekonomik. Ne jemi të përqendruar drejt rrugës tonë euro-atlantike dhe për këtë po punojmë çdo ditë”, ka thënë Haradinaj.
Kim Heidemann, drejtoreshë ekzekutive në emër të shtetit simotër të Iowa-s dhe delegacionit, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritje, duke thënë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë zhvilluar vazhdimisht, dhe se edhe në të ardhmen do të ketë bashkëpunim në sektor të ndryshëm.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe atasheu për siguri i Kosovës në shtetin e Iowa-s, Xhavit Gashi.
Delegacioni i Iowa-s po qëndron për vizitë në Kosovë, me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe arsimor.
/Epoka e re/