Haradinaj njoftohet se ka urdhërarrest, refuzon të hyjë në veturën e EULEX-it
Hetuesit e Speciales kanë arrestuar edhe nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Haradinaj është ndaluar pas fjalimit të tij para mediave, i cili tha se nuk e njohin Gjykatën Speciale
Duke folur me zyrtarët policorë, Haradinaj është njoftuar se ka një urdhër arrest ndaj tij.
Fillimisht ai ka refuzuar të shkojë në veturën e hetuesve të Speciales, por më pas ka hyrë në veturën e Policës së Kosovës.
“Ne nuk e njohim këtë gjykatë. Kjo çfarë ka ndodhur sot na bën të mendohemi se a kemi shtet, a kemi organe shtetërore, a kemi parlament, edhe pse e dimë çfarë e kemi. A kemi Kushtetutë? A ka të drejtë dikush të hyjë në dhomën e gjumit pa trokit, as në zyre nuk bën të hyjë askush pa trokit. EULEX sillet kështu me neve sepse nuk na konsideron njerëz, nuk na intereson të denjë. Specialja nuk është e Kosovës”, kishte thënë ai.
Gjatë ditës, policët e Eulexit i kanë kërkuar Gucatit ta thërrasë nënkryetarin e organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, para se ai të arrestohej.
Haradinaj thotë se Gucatin policët e kishin njoftuar se do ta çojnë në Hagë.
Ndërsa Haradinaj tha se ai do t’i dorëzohet vetëm pjesëtarëve të Policisë së Kosovës pasi që Gjykatën Speciale nuk e njohin dhe do të punojnë gjithmonë kundër kësaj gjykate.
Këto komente Haradinaj i bërë pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së organizatës së veteranëve të luftës se UÇK-së.