Haradinaj: Nuk do të lejojmë që masakrat në Kosovë të kalojnë pa u dënuar
Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka thënë se në 20-vjetorin e masakrës në Vushtrri, Kosova vazhdon betejën e saj për të vërtetën.
Ai ka thënë se shteti serb me gjithë gjenocidin mbi shqiptarët, edhe pas dy dekadave, refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera.
Megjithatë sipas kryeministrit Haradinaj, nuk do të lejohet që masakrat më makabre në tërë Kosovën të kalojnë pa u dënuar.
“Në 20-vjetorin e masakrës në Vushtrri, ku u ekzekutuan brenda pak orësh dhjetëra shqiptarë dhe shumë të tjerë u plagosën, Kosova e vazhdon betejën e saj për të vërtetën. Këtë ditë, Vushtrria dhe mbarë Kosova e kanë kthyer në kujtesë institucionale, si dëshmi ndër breza se sa e vështirë ishte rruga jonë deri në liri. Shteti serb, me gjithë gjenocidin mbi shqiptarët, edhe pas dy dekadave, refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera. Nuk do të lejojmë që masakrat më makabre në tërë Kosovën të kalojnë pa u dënuar. Kosova nuk harron! Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/