Haradinaj: Nuk e di sa luftëtarë kanë qenë, le të vendos drejtësia
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e di numrin e saktë të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë.
Në një intervistë për “Kosovapress”, Haradinaj ka deklaruar se listat i ka gjetur aty kur është bërë kryeministër.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se nuk flet nëse ka keqpërdorime, derisa drejtësia nuk merr ndonjë vendim.
“Listat i kam gjetur në tavolinë. Ka ardhur një prokuror dhe ka thënë a po i hetojmë. I kam thënë merri dhe hetoni. Nëse gjyqi, gjykata e vendit thotë diçka tjetër, unë do ta respektoj, sepse nuk kam kah të shkoj. Por nuk pranoj për të ardhur gjithkush të më shes mend, duke më thënë e fryrë e shfryrë apo ajo ose kjo se doni për ta mbrojtur Kosovën. Prej kujt po do për ta mbrojtur? Prej disave që i marrin 200 euro e që kanë qenë para vdekjes në luftë? Nuk jam i asaj kategorie. Nuk i shes fals vendit tim, e mbroj Kosovën aty ku duhet, jo për t’i fyer njerëzit që kanë luftuar për liri”.
“Kush nuk ka mbetur në këtë Kosovë pa treguar sa fort po e do Kosovën e sa shumë po e mbron Kosovën, prej atyre që e kanë parë vdekjen me sy, iu kanë vdekur njerëzit e familjes, e kanë pa tmerrin me sy, në fund kanë për t’i marr 200 euro, e po thonë që është fryrë numri. Pse bre, në qoftë se është fryrë, le ta gjejnë kush është komisioni, le ta gjejë gjykata”, ka deklaruar Haradinaj.