Haradinaj: Nuk jepet tokë për liberalizim të vizave
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk jepet territor për liberalizim vizash.
Këto komente Haradinaj i ka bërë gjatë vizitës në komunën e Junikut duke iu referuar çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Ai njëkohësisht u ka thënë junikasve se janë duke punuar natë e ditë për liberalizimin e vizave.
Haradinaj në kohën sa ishte në opozitë njihej për kundërshtimin e versionit të marrëveshjes aktuale për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të nënshkruar në vitin 2015 për shkak se bazuar në këtë ujdi, thuhej se Kosova kishte humbur 8 mijë hektarë tokë.
Haradinaj në ditën e parë të punës në krye të ekzekutivit kishte shkarkuar komisionin për shënimin e kufirit duke emëruar Shpejtim Bulliqin si udhëheqës të ekipit të ri.
Demarkacioni dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit mbeten kushte të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave. KK