Haradinaj: Nuk ka nevojë për trauma, të bëhen 61 deputetë dhe shkojmë në zgjedhje
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë u ka thënë atyre që janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare që t’i bëjnë 61 vota në Kuvend, në mënyrë që qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit.
“Ne kemi disa ngarkesa. Zgjedhjet mund të vijnë çdo ditë. Nuk është e thënë që Kosova të bëjë përjashtim për zgjedhje, dhe s’ka nevojë askush të bëhet nervoz. Mjafton të bëhen 61 deputetë dhe shkojmë në zgjedhje. Nuk ka nevojë për trauma të tjera”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për medie, derisa është pyetur për marrëdhëniet me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Gjatë kësaj konference, Haradinaj ka folur edhe për ftesën e zëvendësit të tij, Behgjet Pacolli, për mbajtjen e një takimi urgjent me liderët politikë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe ShBA-në.
Haradinaj ka thënë se takimet e tilla janë të mirëseardhura.