Haradinaj: Nuk kam asgjë personale me Thaçin, thjesht jam kundër ndryshimit të kufijve
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka tensionim personal të raporteve me presidentin Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se thjesht nuk e përkrah qëndrimin për ndryshimin e kufijve.
“Nuk ka tensionim personal të marrëdhënieve me Thaçin. Kam komunikim me të, kryeparlamentarin si dhe me opozitën. Kemi qëndrime të ndara për këtë temë. Që në kontakt të parë i kam treguar qëndrimin tim. Për këtë temë të hapjes së kufijve jam kundër, mbetëm kundër. Jam kundër hapjes së kufijve. Nëse hapim territorin, rrezikojmë sovranitetin. Për mu nuk është bindëse që korrigjimi është diçka e thjeshtë, nuk është bindëse…”, ka theksuar ndër të tjerash ai.
Kryeministri në RTV Dukagjini ka thënë se kjo temë është shqetësuese.
“Jam kundër hapjes së territorit, sepse diçka me rrezik. Duke e ditur rrezikun, jam kundër. Kjo nuk është ide, është temë shqetësuese. Njerëzit me dije minimale e dinë që hapja e kufirit nuk është ide, është shqetësuese, rrezikon shtetësinë”, ka thënë Haradinaj